Bindja është thuajse e plotë se verën e ardhshme në Madrid do të ketë një blerje të madhe, nga ato të dikurshmet. Kuptohet, flitet për pjesën “merenges”, pra për Realin, ndërsa me 99 për qind të gjasave do të jetë njëri nga dy yjet e momentit, Nejmar ose Kilian Mbape. Mediat analizojnë se çfarë mund të ndodhë, dhe “Deili Meil” kujton se presidenti madrilen, Florentino Perez, ka më shumë dëshirë të marrë sulmuesin brazilian.
Perez e quan Nejmarin si të vetmin që mund të barazohet me Ronaldon nga ana e biznesit, ndërsa cilësitë sportive të tij nuk vihen në diskutim. Kontrata e Nejmarit me PSG-në paska një klauzolë që e lejon të largohet në fund të sezonit të dytë, pra në 2019, për 222 milionë euro, aq sa u mor nga Barcelona.
Po Mbape? Ai ka mbështetjen e tifozëve të Realit. Sondazhi i bërë pak kohë më parë nga gazeta “AS” pati 180 000 tifozë që votuan, dhe 89 për qind e tyre ishin në favor të Mbapesë, vetëm 11 për qind për Nejmarin.
Ekziston edhe një skenar tjetër, që Perez të synojë t’i marrë të dy. Kuptohet, që do të jetë tepër e vështirë të merret edhe vetëm njëri, pasi Paris SG nuk është keq për para, ndërsa për presidentin ka edhe një problem tjetër. Ai i ka kërkuar ortakëve të klubit që të miratojnë marrjen e një kredie bankare prej 500 milionë eurosh, për të paguar modernizimin e stadiumit “Santiago Bernabeu”, hua që duhet shlyer për 35 vjet. Pra, me këtë kredi, do të jetë më e vështirë të synohen të dy yjet e PSG-së.
Sfidanti.al