S’pati festë për Asllanin, ndërsa Interi mbetet i çmendur edhe me Inzagin

Mesfushori i kombëtares shqiptare u gjykua që mund të kishte minuta në sfidën në “Rrugën buzë detit” (Via del Mare), por ndeshjen e Serisë A në stadiumin e Leçes e ndoqi nga stoli. Trajneri Simone Inzagi nuk e llogariti në asnjërin prej 5 zëvendësimeve të tij, ndërsa Interi ishte sërish i çmendur me fitoren 2-1 në minutën e 95-të. Kristjan Asllani nuk luajti edhe pse Marcelo Brozoviç u zëvendësua në 57’, ndërsa Inzagi hodhi në fushë në minutat e fundit të gjithë sulmuesit që kishte: Lukakun, Lautaro Martinezin, Xhekon, Korrean, por edhe Henrik Mkitarianin që mund të konsiderohet një i tillë.

Golat zikaltër ishin në ekstreme, në sekondën e 82-të (minuta e 2-të) Romelu Lukaku që u kthye me rrjetë në Serinë A, dhe në 95’ nga Denzel Damfris. Leçe barazoi me anë të Asan Çiseit në 48’. “Ishte një fitore me zemër, e kërkuar deri në fund, – tha Inzagi, – besuam dhe nuk u dorëzuam. Gjysmë orën e parë ishim shumë lart, por ndeshje të tilla nuk duhet t’i fitojmë në fund. Me 4 sulmues e patëm më të lehtë. Përsa i përket tregut, nuk shoh ndonjë gjë që mund të na ndihmojë. Ekipi duhet të mbetet ky që është”.

Sfidanti.al