Përballë PSG-së dhe Nejmarit këtë fundjavë do të jetë Meci (Metz), pra edhe Ivan Balliu. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, i formuar pikërisht tek Barcelona, është bërë “hit” në Spanjë, për deklaratat që ka dhënë në prag të ndeshjes së ligës së parë franceze. “Nuk ka ndonjë secret për ta mbuluar Nejmarin, – u shpreh Balliu për “Markën”, ndërsa i takon pikërisht atij të jetë përballë brazilianit, – nuk i duhet dhënë hapësirë, nuk duhet ta marrë lehtë topin, duhet të jem i përqëndruar. Flasim, në mos për më të mirin futbollist të botës, padyshim për një nga më të mirët”.
Meci e ka nisur keq kampionatin, por Balliu beson se ndaj PSG-së do të mund të arrijë rezultat. “Luajmë në shtëpi dhe nuk kemi presion pasi favorit është Parisi, – shprehet ai, – gjithsesi, shpresoj që Mbape të mos jetë në ditën e tij, pasi së bashku me Nejmarin janë shumë të fortë”. Ivan Balliu është titullar i padiskutueshëm në krahun e majtë të mbrojtës së Mecit në ligën e parë franceze.
Sfidanti.al