Kombëtarja vijon përgatitjet në prag të dy sfidave të rëndësishme të qershorit në eliminatoret e Euro 2024 kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Pas seancës të veçantë stërvitore të zhvilluar pasditen e së mërkurës në stadiumin “Air Albania”, skuadra kuqezi vijoi ditën e 11-të të grumbullimit në “Shtëpinë e Futbollit”. Stafi teknik i drejtuar nga trajneri Silvinjo vijoi stërvitjen sipas planit. Grupi i futbollistëve në fillim iu nënshtrua ushtrimeve fizike në palestër. Më pas skuadra doli në fushë, ndërsa stërvitja ka qenë me ngarkesa të vogla fizike dhe më shumë e fokusuar te loja me top. i fiksuar me detajet, trajneri brazilian provoi situata të ndryshme në të dyja fazat e lojës, në sulm dhe mbrojtje.
Këtë praktikë, Silvinjo e ka vënë në jetë thuajse në të gjitha seancat stërvitore në mënyrë që të qartësojë idetë e tij për formacionin dhe skemat që do të përdorë në sfifën e së shtunës kundër Moldavisë. Pasi mungoi të mërkurën, Frederik Veseli ka punuar rregullisht duke lënë pas shqetësimet fizike në shpatull. Po ashtu, me kombëtaret pritet të bashkohet edhe Berat Gjimshiti, që u bë baba për herë të dytë dhe me lejen e Silvinjos vizitoi familjen e tij. Mbrojtësi do të jetë gati për ndeshjen në “Air Albania”. Skuadra kuqezi ka në program edhe tre séance të tjera stërvitore përpara përballjes me Moldavinë.
Sfidanti.al