Kur thuhej vala e dytë e epidemisë, shumëkush mendonte se po flitej për një film të ri që do të dilte në ekranet e kinemave gjatë vjeshtës. Ja, vjeshta erdhi, dhe madje po kalon, dhe goditja e re e koronavirusit po provohet “në lëkurë”. Edhe vendet më të zhvilluara të Europës janë të detyruara të mbyllen fort, dhe kampionati më shembullor i botës ka vendosur të bëjë hapa prapa.
Mediat gjermane njoftojnë se Bundesliga do të kthehet në regjimin pa tifozë në stadium, me të hyrë nëntori, pra me të nisur periudha e temperaturave më të ulëta. Frika është e madhe që gjatë dimrit do të ketë pasoja më të rënda nga koronavirusi për shëndetin e njerëzve, ndaj edhe klube tepër të guximshëm si Unioni i Berlinit janë të detyruar të braktisin planet e tyre. Me gjasë, do të kemi një “gjumë dimëror” ashtu si ariu, dhe “zgjimi” mund të bëhet në mars ose në prill.
Sfidanti.al