Fitore dominuese dhe padyshim e merituar. E tillë ishte kjo e arritur nga katalanasit në stadiumin “Alianc” të Torinos, ndoshta falë një çlirimi të madh nga lajmi për dorëheqjen e presidentit Bartomeu. Lionel Mesi me shokë, është e vërtetë që nuk patën përballë Kristiano Ronaldon (që po mallkon testet dhe virusin), por sidoqoftë patën epërsi ndaj Juventusit të Andrea Pirlos, që ende nuk po e gjen ekuilibrin. Një gol nga Usman Dembele dhe një 11-metërsh i ekzekutuar saktë nga Lionel Mesi ishin diferenca konkrete mes dy ekipeve, veçse Barcelona krijoi 14 raste.
Mesi krijoi golin e Dembelesë me një ndryshim të papritur të lojës, ndërsa kapiteni, Grizman e Pedri kombinuan siç duhet në pjesën e parë. Trajneri Kuman kishte lënë në stol Busketsin për të hedhur në fushë Pjaniçin, si dhe Ansu Fatiun. Pike mungoi për shkak pezullimi. Fati hyri në vend të Dembelesë duke krijuar edhe më shumë rreziqe për juventinët, derisa u rrëzua në zonë dhe penalltia u kthye në gol nga Mesi. Tek Juvja, Alvaro Morata vendosi një rekord me 3 gola të anuluar me të drejtë për pozicion jashtë loje. “Luajtëm shumë mirë, – tha trajneri Kuman, – skuadra tregoi shumë besim dhe nuk u ndikua nga humbja në El Klasiko. Më vjen mirë për De Jongun që ka luajtur qendërmbrojtës edhe me Holandën. Grizmanit i mungoi vetëm goli dhe fati, më mirë se kaq nuk ka sesi luan”.
Sfidanti.al