Inter, mos u ngop me lugë bosh, në Ukrainë tregove se nuk di të shënosh!

Fjalët e mira vijnë nga të gjitha anët, pasi loja e zikaltërve në Ukrainë nuk ishte aspak e keqe. Lautaro Martinez pati raste për gol, u goditën dy traversa, trajneri Konte është i kënaqur, dhe drejtuesi Marota gjen rastin të lavdërojë pikërisht teknikun. Gjithsesi, kjo nuk e zhduk dot realitetin që Interi nuk qe në gjendje të shënonte në fushën e Shahtarit. “S’la gola dhe dy pikë të flakura tej”, – është komenti i “La Gazeta delo Sportit”, që vazhdon se “Interi ka një problem të madh, luan mirë, është agresiv, prodhon shumë lojë, por korr më pak sesa meriton”. Nëse nuk shënon Lukaku, nuk e bën dot askush tjetër.

Antonio Konte e lavdëroi ekipin e tij duke thënë se “jemi në rrugën e duhur, por për fat të keq ishim pak cinikë dhe nuk kishim fat”. Sidoqoftë, përfundimi i teknikut ishte që “kjo ndeshje na jep shumë besim sepse po përpiqemi t’ia dalim mbanë në një cikël shumë të vështirë”. Konte duhet ta dijë se cikli do të bëhet më i vështirë me dy ndeshjet e radhës në Champions. Nëse u morën me zor dy pikë ndaj Mynshengladbahut dhe Shahtarit, tashmë vijnë dy sfidat ndaj Realit të Madridit. Dakord, nuk janë madrilenët më të mirë të historisë, por flitet për një ekip ekspert, që e njëh mirë Championsin dhe që mund të shfrytëzojë përvojën e tij të madhe.

Sfidanti.al