S’ka finale angleze, karakteri e dërgon Realin përballë Liverpulit në Paris!

Në finalen e 28 majit në “Stad dë Frans” të Parisit do të jenë dy skuadra vërtet të mëdha, dhe që kanë diçka që të tjerave u mungon, karakterin. Reali i Madridit i mbijetoi një tjetër “ferri” duke eliminuar favoritin Mançester Siti në një mbrëmje të re të paharruar në “Santiago Bernabeu”. Stadiumi i famshëm ka parë shumë net të tilla, si ato të të viteve 50-të e 60-të, kur Reali fitoi 6 kupa të kampionëve, të viteve 80-të me Kamaçon, Santilianën, Huaniton apo Hugo Sançezin, Valdanon, Butragenjon e Miçelin, si dhe historinë më të vonshme me Raul Gonzalesin, Hierron, Zidanin, Kristiano Ronaldon, Modriçin, Benzemanë dhe Vinisiusin. Nuk mbarojnë yjet në Madrid dhe nuk mbarojnë sukseset e Realit.

Fitorja ndaj Sitit ishte e pabesueshme në kuptimin që anglezët luajtën futboll më të mirë, patën më shumë zotërim topi (55 për qind), më shumë gjuajtje në portë (10-5) si dhe më shumë korne (10-3), por vendosi karakteri. Skuadra e Guardiolës kryesoi me meritë pas golit të shkëlqyer të Rijad Mahrezit në 73’, dhe ishte e kualifikuar deri në minutën e 91-të kur Rodrigo shënoi golin e dytë për Realin, dhe të dytin personal në 2 minuta. Heqja e avantazhit të rrjetës në fushë kundërshtare i dha mundësi Sitit të shkonte në shtesë, por madrilenët ishin në “planet” tjetër. Benzema shënoi penalltinë vendimtare, dhe vendasit u mbajtën deri në fund. Trajneri Ançeloti pati një meritë të madhe me zëvendësimet e tij, pasi në 68’ hodhi në fushë Rodrigon, dhe në 75’ Kamavignën, duke hequr “senatorët” Kros dhe Modriç.

Real Madrid-Mançester Siti 3-1 (Mahrez 73’, Rodrigo 90’, Rodrigo 90’+2, Benzema (p) 95’)

Reali (4-3-3): Kurtua, Karvahal, Militao (Vajeho 115’), Naço, Mendi, Kasemiro (Asensio 75’), Modriç (Kamavigna 75’), Kros (Rodrigo 68’), Valverde, Vinisius (Lukas Vaskez 115’), Benzema (Sebajos 104’).

Man. Siti (4-3-3): Ederson, Uolker (Zinçenko 72’), Dias, Laporte, Kanselo, Rodri (Stërling 99’), De Brujne (Gyndogan 72’), Bernardo Silva, Mahrez (Fernandinjo 85’), Gabriel Zhezus (Grilish 78’), Foden.

Sfidanti.al