Siti përsërit dramën e vitit 2012, fiton titullin në “fotofinish” me Liverpulin

Të fitosh Premier Ligën është më e vështirë sesa t’ia dalësh në Champions. Kështu u shpreh para ndeshjes Pep Guardiola e ndoshta ka të drejtë, pra sipas gjykimit të tij, Mançester Siti bëri detyrën kryesore të sezonit. “Qytetarët” mbrojtën titullin pas një drame të madhe në javën e fundit, duke fituar me përmbysje 3-2 ndaj Aston Vilës në “Etihad”, e duke përballuar sfidën e Liverpulit që gjithashtu u desh të realizonte një përmbysje në “Anfild” ndaj Uolvesit (3-1).

Aston Vila, e drejtuar në stol nga ish-kapiteni i Liverpulit Stiven Xherrard, e duke pasur në fushë ish-yllin e të kuqve Filip Kutinjo, u duk se e ndihmoi ekipin e Jurgen Klopit duke kryesuar 2-0 deri në 76’. Mati Kesh shënoi në 37’ dhe vetë Kutinjo shtoi avantazhin në 69’. U duk se kishte përfunduar, në kohën që Liverpuli ishte në barazim 1-1. Gjithsesi, Siti bëri të kundërtën e asaj që “katranosi” ndaj Realit në Champions, duke shënuar 3 gola në 5 minuta, e duke marrë epërsinë.  Ilkai Gyndogan (i aktivizuar në 68’), nisi reagimin me golin e minutës së 76-të. Rodri barazoi në 78’ dhe sërish Gyndogan ishte autori i golit që në fund siguroi titullin. Pikërisht lojtari që besohet se do të largohet në fund të këtij sezoni.

Liverpuli pësoi që në 3’ me Uolvesin në “Anfild” kur shënoi Pedro Njeto. Sadio Mane barazoi në 24’, ndërsa pas pushimit Klopi aktivizoi Salahun. Egjiptiani shënoi në 84’ dhe Robertson vulosi shifrat 3-1 në 89’. Mançester Siti u shpall kampion me 93 pikë (golat 99-26), ndërsa Liverpuli doli i dyti me 92 pikë dhe me golat 94-26. Të kuqtë nuk realizuan dot arritjen e madhe për të fituar çdo trofe të mundshëm, pas suksesit në Kupën e Ligës dhe Kupën e Anglisë. Gjithsesi, mund të fitojnë Championsin në finalen ndaj Realit të shtunën e ardhshme.

Sfidanti.al