Dikur ia ka dalë me emra të tillë si Saki, Kapelo, Xakeroni, Ançeloti dhe Alegri, sa për të përmendur 4 dekadat e fundit. Milani është i tillë, e ka titullin kampion në ADN-në e tij, ndonëse u desh këtë herë të priste 11 vjet për t’ia dalë përsëri. Kuqezinjtë, tashmë të drejtuar nga trajneri Stefano Pioli, bënë realitet diçka që nuk shpresohej edhe aq shumë në një sezon ku Interi jepej favorit. Seria A u kthye për klubin lombard, ndërsa skuadra e Piolit pati nerva të forta për të kaluar edhe pengesën e fundit. Duhej fitorja në stadiumin e Sasuolos dhe u arrit në mënyrën më të mirë të mundshme madje duke fituar 3-0 që në 45’ e para. Dy herë veterani Olivie Zhiru dhe një herë Kesie ishin autorët e golave për fitoren e bujshme që e bëri Milanin ta përfundonte kampionatin me 86 pikë ndaj 84 të Interit që gjithashtu fitoi 3-0, duke mundur Sampdorian në “San Siro” me rrjetat e shënuara nga Perishiç e Korrea (2 herë) në pjesën e dytë. Me këtë titull, Milani barazoi Interin me nga 19, ndërsa Juventusi ka 36 duke qenë tepër i shkëputur.
Sfidanti.al