Hera e fundit ka qenë 5 vjet më parë. Në shkurt të vitit 2017, skuadra “vjollcë” i dha lamtumirën Europës për një “plan pesëvjeçar” pasi u eliminua në Ligën e Europës nga Borusia e Mynshengladbahut dhe u desh një kohë e gjatë që të kthehej. Edhe pse humbi Dushan Vlahoviçin që ia mori Juventusi, Fiorentina e trajnerit Italiano e bëri krenar futbollin italian duke zënë vendin në Ligën e Konferencës. Fitorja që ia dha këtë mundësi ishte pikërisht ndaj Juves 2-0 me gola të shënuar nga Dankën dhe Nikolas Gonzales me penallti.
Për “Zonjën e Vjetër” kishte kohë që nuk ndodhte një gjë e tillë, madje që para 11 viteve përpara ardhjes së Antonio Kontes dhe që ktheu “anijen juventine” drejt lartësive të titullit. Me 8 humbje në 38 ndeshje dhe me vetë 20 fitore, bilanci është për të qarë hallin, ndërsa janë shënuar vetëm 57 gola edhe pse në sulm janë Vlahoviç, Dibala, Morata, Kean. Vetëm dëmtimi i Kiezës nuk mund të mjaftojë si justifikim. Plot 9 skuadra kanë shënuar më shumë se Juvja dhe vetëm 9 ia kanë dalë më pak! Gjasat nuk duken aspak të mira që Alegri të ndryshojë gjithçka sezonin që vjen dhe të synohet titulli.
Sfidanti.al