Mbape-Haland: Reali me një “gur” nuk i “vrau” dot dy “zogj”!

Gjatë gjithë sezonit 2021-2022, mediat spanjolle e entuziazmuan publikun e tyre dhe habitën atë ndërkombëtar me historinë e dy superblerjeve të klubit “merenges”. Kilian Mbape ishte i sigurt, sipas asaj që thuhej, ndërsa Erling Halandi ishte i mundshëm gjithashtu për t’u marrë. U dhanë shumë detaje për këto operacione, dhe u tha se shpenzimet mund të kalonin 300 milionë eurot, apo ndoshta edhe 500 milionë eurot duke llogaritur kartonat, rrogën dhe shpërblimet e tjera. Në fund duket se loja e Kilian Mbapesë dëmtoi Realin jo vetëm për atë vetë, por edhe për Halandin. Norvegjezi nuk u ndoq edhe aq nga Madridi dhe u lejua qetë-qetë të shkonte tek Mançester Sitin, me bindjen se do të vinte Mbapeja dhe se dy “gjela” nuk rrinin dot në një “kafaz”. Tani, në atë kafaz nuk është asnjë nga këta “gjela”, ndërsa mund të thuhet se Reali nuk i “vrau” dot dy “zogj” me një “gur”.

Sfidanti.al