Shqiptarët Asllani dhe Bajrami lënë Atalantën pa Europë pas 5 vitesh!

Nga shqiptarët titullarë ishin vetëm dy, nga 4 të mundshëm. Fitoren e arriti ajo skuadër që kishte më shumë kuqezinj, Empoli, duke i bërë “gjëmën” Atalantës që mbeti pa futbollin europian. Kjo, pas 5 vitesh shumë të bukur me skuadrën e trajnerit Gasperini që u bë historia e vërtetë e kompeticioneve kontinentale. Kroati Leo Shtulac shënoi golin e vetëm të ndeshjes duke bërë që të shkonte kot gjithë sakrifica e “DEA”-s. Duket se nuk ishte sezoni i duhur për bergamaskët, të cilët luftuan shumë, prodhuan futboll, por nuk patën ekuilibër sidomos në lojën në mbrojtje. Largimi i disa lojtarëve padyshim që prishi punë. Në fushë, në këtë Atalanta-Empoli, ishin Berat Gjimshiti për vendasit dhe Kristjan Asllani për miqtë, ndërsa Nedim Bajrami hyri në lojë në fillim të pjesës së dytë. Atalanta nuk ishte vetvetja këtë vit, por tifozët e brohoritën, ndërsa trajneri Gasperini deklaroi se nëse raportet me klubin do të mbeten si deri tani, ai do të vazhdojë në stol.

Sfidanti.al