Të mos keqkuptohemi, ishte Gabriel Zhezus që shënoi dy herë në fitoren 3-1 ndaj Evertonit në “Etihad”, por gjithsesi, çlirimi përfundimtar erdhi nga një tjetër futbollist. Rahim Stërling u tregua sërish shpëtimtari i momenteve të vështira, ndërsa kaloi pjesën më të madhe të ndeshjes në stol.
Pep Guardiola e mbajti rezervë, të lodhur për shkak të ngarkesës, veçse në minutën e 68’, Evertoni shënoi golin e shpresës. Dominik Kalvert-Ljuin u ngrit mbi Fabian Delfin për të realizuar për 1-2, dhe trajneri i Sitit ngriti menjëherë Stërlingun nga stoli. Sulmuesi i Anglisë, nuk u vonua dhe hyri në fushë.
Kaluan vetëm dy minuta e 55 sekonda, kur Fernandinjo lëshoi një harkim në zonë dhe aty, Rahim Stërling shënoi me kokë për 3-1. Ajo ishte prekja e parë e topit në ndeshje. i lavdëruar dhe i kritikuar për shumë kohë, ai është bërë ekspert i momenteve-kyçe. Guardiola u kënaq edhe nga dy golat e Zhezusit, që është kritikuar kohët e fundit, dhe nga kthimi i Kevin De Brujnit nga dëmtimi (luajti 15 minuta).
Kënaqësia më e madhe ishte, sidoqoftë, loja e gjithë skuadrës. Mançester Siti ishte i shkëlqyer me top dhe pa top, aq sa lojtarët e Evertonit nuk bënë dot më shumë se 2-3 pasime radhazi. Tashmë, u la pas humbja e hidhur me Çelsin, dhe kampionët kryesojnë Premier Ligën me 44 pikë, ndaj 42 të Liverpulit, që do të luajë derbin me Mançester Junajtidin në “Anfild”, këtë të diel.
Sfidanti.al