Kur Mançester Junajtidi i Zhoze Murinjos viziton “Anfildin”, gjëja kryesore që mendojnë njerëzit është “parkimi i autobusit”. Ndodhi në të dyja ndeshjet e kaluara, kur mbrojtja e “djajve të kuq” ishte me 6 lojtarë dhe ofensiva as që ekzistoi fare, me dy gjuajtje në portë në 180 minuta, edhe pse në fushë ishin sulmues si Runi, Ibrahimoviç, Rashford, Lukaku apo Marsial.
Pra, çfarë do të bëjë Murinjo këtë herë, aq më tepër kur duhet, më shumë se kurrë, që të mos humbasë? Kjo pyetje iu bë Jurgen Klopit, rivalit të tij të së dielës, por ky dha një përgjigja “nga ato të vetat”. “Këto janë çështje taktike të futbollit, – u shpreh gjermani i Liverpulit, – dhe unë nuk e mendoj veten si Papën e taktikës që të jap këshilla”. Më tej, Klopi e krahasoi Murinjon me Deshampin.
“Është njëlloj si Franca në Kupën e Botës, – vazhdoi gjermani, – mos vallë ajo luajti “bam, bam, bam” si Spanja? Jo, ajo kërkoi rezultatin edhe pse kishte lojtarë të mëdhenj si Grizman apo Pogba. Deshampi bëri gjënë e duhur, atë që mendoi se ishte e drejta”.
Të paktën, Klopi është më i qetë përpara kësaj ndeshjeje, pasi Liverpuli fitoi me Napolin dhe u kualifikua për në turin e dytë të Championsit. Gjithashtu, ai iu përgjigj kritikave të Murinjos se nuk ka fituar trofe me Liverpulin, duke thënë se “nëse do të llogaritej vetëm suksesi, dhe jo përpjekjet për të arritur atë, atëherë jeta do të ishte një m…”.
Sfidanti.al