Është shumë e vështirë të jepet një penallti në këtë stadium. Pas pretendimeve të Partizanit apo ndonjë ekipi tjetër, ja ku është edhe radha e Tiranës për të kërkuar një 11-metërsh në Laç. Në minutën e 86-të, kjo nuk u dha, ndërsa mund të kishte sjellë barazimin e rezultatit në 2-2.
Përfundimisht, fituan kurbinasit, e drejtuar për herë të parë këtë sezon nga trajneri Besnik Prenga, pas një pjese të parë shumë të mirë, por edhe duke pasur fat pas pushimit.
Në 45 minutat e para, vendasit fituan thuajse çdo dyluftim, duke merituar t’i mbyllnin në avantazh. Shënuan dy gola me anë të shkodranit Shtubina dhe të Fangajt, duke qenë më lart se miqtë. Tirana arriti të godiste një herë shtyllën, por jo më tepër se kaq.
Përse, kryeqytetasit ndryshuan pas pushimit, duke qenë një tjetër ekip? As vetë trajneri i tyre, Ardian Mema, nuk arrin ta kuptojë se çfarë ndodh me futbollistët e tij. Pjesa e dytë ishte thuajse e gjitha për vizitorët, të cilët kontrolluan ndeshjen dhe krijuan disa mundësi shënimi.
Ishte po një shkodran, Edon Hasani, që shkurtoi shifrat në minutën e 73-të, por bardheblutë nuk qenë në gjendje të merrnin një pikë, që do të kishte pasur rëndësi të madhe. Suksesi bëri që Laçi të ngjitej në kuotën e 29 pikëve, po aq sa Teuta e vendit të tretë, ndërsa tiranasit mbetën në vetëm 14 pikë, sërish në katërshen e skuadrave që do të luftojnë për mbijetesën në Superligë.
Sfidanti.al