Kritikat vërshuan nga të gjitha anët, sikur mezi prisnin që kjo të ndodhte, por arkitekti i kryeveprës së shkatërruar në “Anfild” qendroi stoik. Pep Guardiola, pavarësisht humbjes 0-3 të Mançester Sitit, u hodh në kundërsulm ndaj “tallësve” me disa fjalë që, ndoshta, habitën edhe atë vetë.
“Siti luajti shumë, shumë mirë, – tha ai, – me përjashtim të 15 minutave në pjesën e parë. Goli i parë i Liverpulit u nis nga pozicioni jashtë loje, dhe në ndeshje të tilla kjo ndikon shumë, mjafton të kujtoni se çfarë na ndodhi vjet me Monakon. Sidomos, kur një skuadër relativisht e re si kjo e jona luan në një stadium si ky”.
Jo vetëm kaq, por trajneri katalanas foli ballëlart se e pret me shpresë përballjen e dytë në “Etihad”. “Padyshim, padyshim që është shumë e vështirë, – u shpreh Guardiola, – por, ne do të përpiqemi të luajmë futboll dhe ta provojmë. E vërtetë që humbëm dhe që askush nuk beson tek ne, por do ta provojmë”.
Respekte, Pep, por duket se e ke rritur shumë dozën e optimizmit, dhe duket se ke pasur ndonjë palë syzesh magjike ndërsa ke ndjekur ndeshjen. Siti vërtet e qarkulloi topin, por nuk gjuajti dot asnjëherë në kuadrat ndaj Liverpulit.
Sfidanti.al