Si i përgjigjet Mesi kritikave? U kuptua pas golave me Leganjesin!

Lionel Mesi nuk ka dëshirë të jetë patjetër një kapiten. Nuk dëshiron të jetë një shembull për të tjerët përveçse me anë të lojës së tij, veçse si çdo yll i madh futbolli nuk i shpëton dot “vëzhgimit me lupë në dorë” nga mediat dhe tifozët. Numri 10 i Barcelonës, gjithsesi, nuk i ka qejf kritikat, dhe besohet se ato e acaruan shumë pas disfatës së rëndë në fushën e Paris SG në Ligën e Kampionëve.

Trajneri i Argjentinës, Bauza, shprehet i bindur se ishte pikërisht një shfrim zemërimi, një reagim i ashpër ndaj kritikave, ai mosfestim i golave nga ana e Mesit në ndeshjen ndaj Leganjesit. Fillimisht, mediat spekulluan duke shkruar se Leo e pati atë sjellje si përgjigje për trajnerin Luis Enrike, por Bauza nuk mendon ashtu. Për fatin e Barcelonës, Mesi e shpreh zemërimin duke shënuar gola, dhe katalanasit shpresojnë që ai të vazhdojë të jetë me nerva kur të luajë këtë fundjavë në fushën e Atletikos së Madridit, për ndeshjen e ligës spanjolle.

Sfidanti.al