Si barazon Interi në Napoli? Duke goditur tri herë shtyllat!

Për herë të parë në fazën e dytë, skuadra e Antonio Kontes provoi se çfarë është dizavantazhi. E kishte provuar në Kupën e Italisë ndaj Juventusit, por jo në Serinë A, por gjithsesi u ngrit shpejt në lartësinë që e kërkonte momenti. Ishte Napoli-Inter, një duel i madh i Serisë A dhe në fushën e një skuadre shumë të talentuar, shumë të rrezikshme dhe që di të luajë futboll. Përfundoi 1-1, por vetëm pasi Romelu Lukaku goditi dy herë shtyllën, dhe një herë e bëri edhe Politano. Një autogol i shkaktuar nga dyshja De Vraj-Handanoviç kaloi napolitanët në epërsi, por Kristian Eriksen barazoi në 55’, me danezin që po tregon nivelin e tij më të lartë që kur erdhi në Itali nja 15-16 muaj më parë. Një ndeshje shumë e bukur në stadiumin “Maradona”, ku dy skuadrat luajtën deri në fund duke kërkuar fitoren, Napoli me Insinjen (i ndaluar nga Brozoviç) dhe Interi me Hakimin që kaloi portierin Meret, por Manolas largoi topin që po shkonte në rrjetë. Shumë pak mundësi për Hysajn që hyri në lojë në minutën e 91-të. Interi ka 75 pikë në 31 ndeshje, Milani ka 66, Atalnta 64 dhe Juventusi 62 dhe Napoli 60.

Sfidanti.al