E kanë futur veten në telashe këto javët e fundit, por sërish kreun po e mbajnë. Futbollistëve të Atletikos së Madridit po u dridhen gjunjët (dhe i pret shpejt një betejë e madhe në “Kamp Nou”), veçse mbeten ende në këmbë, siç e tregoi fitorja 5-0 në La Liga ndaj Eibarit. Në “Uanda Metropolitano”, të besuarit e trajnerit Diego Pablo Simeone, ia dolën madje pa dy nga yjet kryesorë, si sulmuesit Luis Suarez e Zhoao Feliks. Angel Korrea shënoi dy gola, Ferreira-Karrasko shtoi një tjetër dhe Markos Jorente tundi dy herë rrjetën e miqve. Atletiko ka tani 70 pikë dhe golaverazhin e mirë 57-20. Gjithsesi, kur duhen edhe 7 ndeshje deri në fund të kampionatit, nuk do të jetë e lehtë të përballohet sfida sidomos e Realit, por edhe e Barcelonës.
Sfidanti.al