Kjo ishte “java e patronazhistit” për pretendentët në Superligë..!

Kjo mund të quhet java e patronazhistëve në futbollin e Superligës! Ata që na duan votën me pahir  janë në politikë, ata që na duan të “mirën” e fatit  janë në Superligë.   Të gjithë rivalët ishin marrë në “patronazh” nga ekipet kundërshtare për të kaluar “votimin e javës” në një paqe të sigurt dhe në lumturinë e 3 pikëshit. Le t’i marrim me radhë ..

Teuta në Korçë gjeti një Skënderbe “mikpritës”,  ashtu siç u tregua vetë Teuta disa ditë më parë në kampionat, duke i dhënë një kuptim  edhe më të besueshëm fjalës “mikpritje”, sidomos kur kemi topin mes këmbëve…

Edhe në dasmë të kishte qënë Vllaznia në Fier, nuk do të kishte bërë kaq shumë qejf sa bëri me Apoloninë në 90 minuta. Mund të pagëzohet si një aheng me gola ajo që ndodhi , një dasmë që nuk kishte të palumtur ,ku të gjithë dukeshin fitues , të gjithë të “dehur”  edhe pse golat shkonin vetëm në njërën nga portat…

Partizani me Katriotin na bënë me zemër në fillim , dukej sikur ndeshja doli nga shinat e patronazhistit kur krutanët po luanin të vetëm, madje shënuan dhe golin e parë. Më pas gjërat shkuan në “ndërgjegjen e  javës”, ku Kastrioti dukej si i penduar për “pabesinë ” që kurdisi në fillim, kurse Partizani  prishi letargjinë për t’iu  futur punës apo portës armike me ..gola!

Fjalët e trajnerit të Bylisit, Dovedan, fill pas ndeshjes Laçi-Bylis, ishin të pakta dhe të sakta: “ Futbollistët tanë për 3 minuta menduan të flinin gjumë dhe në ato çaste morën 2  gola”…

Kjo ishte java e “patronazhistit”,  për një garë kampionati që ka vetshpikur  dhe  një çmim grotesk , një çmim nga ato që dimë t’i fabrikojmë vetëm  ne : Ky është kampionati me rivalitetin më të madh në kontinent!

Sfidanti.al