Shuhet legjenda Robert Jashari, ylli i Partizanit dhe kombëtares 60 vjet më parë!

Do të mbahet mend për një gjë të veçantë. Robert Jashari shënoi golin e parë të kombëtares shqiptare në një ndeshje zyrtare në 1965, ndërsa sot pas 56 vjetësh vjen lajmi i shuarjes së legjendës. Familja njofton se ish-sulmuesi i kombëtares dhe i Partizanit u nda prej nesh në moshën 83-vjeçare, ndërsa për 4 muaj do të mbushte 84. Jashari lindi në 10 maj 1937 në Tiranë, ndërsa gjithë karrierën e kaloi me skuadrën e kuqe, duke dalë 6 herë kampion e duke fituar disa Kupa të Republikës, sot Kupa e Shqipërisë. Ai mori fanelën e legjendarit Loro Boriçi në 1956, dhe luajti në krah të emrave të mëdhenj të Partizanit e kombëtares, Refik Resmja e Panajot Pano. Jashari u shpall tri herë radhazi shënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar në 1963, 1964 e 1965, duke pasur rekordin personal me 18 gola në një sezon.

Sulmuesi debutoi me kombëtaren në 1963 ndaj Bullgarisë në Tiranë, ndërsa në 7 maj 1965 shënoi golin e parë zyrtar të Shqipërisë, në ndeshjen eleminatore të Botërorit në Belfast ndaj Irlandës së Veriut. Përveçse futbollist i shquar, Robert Jashari pati karrierë si trajner duke drejtuar Dajtin, 31 Korrikun e Burrelit të cilin e ngjiti në elitë, dhe Kastriotin e Krujës. Pritet të ketë ceremoni ngushëllimi për të nderuar kujtimin e tij si njëri nga futbollistët më të mirë që ka pasur Shqipëria.

Sfidanti.al