E nisi me fitore detyrën e tij të re. Trajneri i ri i kombëtares, Kristian Panuçi, pas suksesit 2-0 ndaj Lihtenshtajnit, do të jetë shumë më i lehtësuar dhe më i qetë për ndeshjen e dytë radhazi të Botërorit, të martën e 5 shtatorit në Maqedoni.
Nuk ishte Shqipëria më e mirë, por as nuk ishte e keqe, e aftë t’i tregonte vendin një kundërshtari modest, por këmbëngulës në “Elbasan Arena”. Pavarësisht ngërçit të herëpashershëm në pjesën e parë, sërish epërsia ishte e plotë, me shumë raste të humbura, dhe me asnjë moment të vështirë në portën e Etrit Berishës.
Dihej që nuk ishte e lehtë të luhej në gusht, ashtu siç na ndodhi edhe vjet me Maqedoninë në Shkodër, aq më tepër me mjaft lojtarë me fare pak aktivizim, dhe me dëmtime, sëmundje e çështje disiplinore në repartin e sulmit. Gjithsesi, golat e shënuar nga Odise Roshi dhe Ansi Agolli fare mirë mund të kishin qenë më të shumtë dhe fitorja më e thellë.
Në futboll nuk ka gjithnjë rëndësi sesi e fillon një ndeshje, por sidomos sesi e vazhdon dhe si e mbyll. Ky rregull që shpesh e ka ndëshkuar Shqipërinë, këtë herë ishte norma e lojës së saj. Pa Sadikun, Cikalleshin e Balajn, Llullaku mbajti sulmin, Grezda e Roshi e ndihmuan në ofensivë, ndërsa Memushaj, Abrashi e Basha morën në dorë mesfushën. Hysaj, Agolli, Mavraj e Ajeti ishin bllok në mbrojtje, ndërsa zëvendësuesit pas pushimit e ndryshuan ndeshjen thuajse plotësisht.
Kukeli shtoi forcën fizike, ndërsa Hyka atë dribluese duke krijuar epërsi numerike në sulm. Pati pak minuta për debutuesin Ahmedi, talenti e të cilit presim të na ndihmojë në të ardhmen. Suksesi bëri që kombëtarja të mbante vendin e tretë në grupin G, duke qenë pretendente kryesore për ta ruajtur deri në fund, ndërsa një shans qoftë edhe matematikor, ekziston për kualifikimin për në Botëror.
A thua se tani jemi një skuadër më e madhe se më parë, dhe se e kemi kaluar dehjen e pashmangshme të kualifikimit për në finalet e Europianit? Shumëçka do të varet nga alternativat dhe zëvendësimet e legjendave të vjetra. Agolli do të largohet, po ashtu Memushaj apo Basha nuk besohet të vazhdojnë gjatë, ndërsa për fat të keq Xhaka apo Kaçe kanë qëlluar “kuaj tepër të kuq me më shumë se një huq”.
Megjithatë, le të shikojmë në ëndërr sikur mundim Italinë dhe shkojmë në plej ofin e Botërorit!
Sfidanti.al