Shkëndija fiton në Champions, Ballkani nuk zhgënjen

Dy skuadrat shqiptare, Shkëndija e Tetovës dhe Ballkani i Suharekës, kanë regjistruar fitore të rëndësishme në Europë.

Në stadiumin “Todor Proeski” të Shkupit, Shkëndija ka mposhtur me rezultatin minimal 1-0 skuadrën rumune të Steaua Bukuresht, në duelin e vlefshëm për turin e dytë në Champions League.

Goli i vetëm i sfidës u realizua në minutën e 65-të nga sulmuesi Ronaldo Webster. Pas një harkimi nga krahu i djathtë i Trumçit, Webster goditi saktë me kokë duke dërguar topin në rrjetë dhe duke i dhënë epërsinë Shkëndijës.

Vetëm pak minuta pas golit, Shkëndija mbeti me një lojtar më pak. Kamer Qaka u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 70-të, pas një ndërhyrjeje të parregullt. Megjithatë, edhe skuadra mike u përball me të njëjtin fat, pasi në minutën e 79-të, Tanase i Steauas u përjashtua nga loja me karton të kuq.

Pavarësisht përpjekjeve të rumunëve në minutat e fundit, rezultati nuk ndryshoi. Shkëndija ruajti avantazhin minimal deri në fund, duke u pozicionuar më mirë përpara ndeshjes së kthimit, e cila do të luhet më 30 korrik, në orën 19:30.

Triumfoi me rezultatin 4-2 ndaj skuadrës malteze Floriana, në turin e dytë të Konferencë Ligës. Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe pati një ritëm të lartë, me shumë raste për shënim nga të dyja skuadrat.

Ishin miqtë ata që e hapën të parët rezultatin, me Grech që shënoi në minutën e 8-të. Reagimi i vendasve ishte i menjëhershëm dhe Tolaj barazoi rezultatin në minutën e 13-të. Floriana riktheu avantazhin në minutën e 25-të me Xhah, por që nga ky moment, ndeshja mori kahje tjetër.

Ballkani dominoi vazhdimin e pjesës së parë dhe gjithë pjesën e dytë. Tolaj shënoi edhe golin e dytë personal në minutën e 33-të, duke rikthyer baraspeshën. Më pas, Adetunji realizoi dy gola të tjerë për Ballkanin, në minutat 41 dhe 68, duke e vulosur fitoren me rezultatin përfundimtar 4-2.

Kjo fitore i jep një avantazh të konsiderueshëm skuadrës së Orges Shehit përpara sfidës së kthimit, që do të zhvillohet më 31 korrik në Maltë, në orën 19:30.

sfidanti.al