Shkëndija e Tetovës, 4 dekada vuajtje për krenarinë e shqiptarëve të Maqedonisë

Janë dashur vite, madje dekada, për të arritur deri këtu. Shkëndija e Tetovës mund të quhet sot me plot gojën një fuqi futbolli ballkanase, dhe tifozët mund të jenë plotësisht të lumtur, veçse nuk ka qenë gjithnjë kështu. Arritja për të dytin vit radhazi në plej ofin e Ligës së Europës është rezultati i gati 40 vjet përpjekjesh jo vetëm sportive, por sidomos kombëtare, në Jugosllavinë e Titos, dhe më pas në shtetin që rëndom quhet Maqedoni, por që emrin zyrtar e ka FYROM.

Themeluar në 27 gusht 1979, Shkëndija e filloi nga niveli më i ulët, për të arritur kategorinë e dytë në 1981. Këtu i thanë “ndal”, klubin e shkrinë, besohet me frikën se mund të nxiste ndjenja patriotike të padëshiruara. Rikthimi vetëm në 1992 me rënien e Jugosllavisë.

Në 1995, Shkëndija u ngjit në ligën e parë maqedonase, ndërsa kulmi, ai që mbetet vërtet kulmi deri më sot, erdhi në 2011, titulli kampion në Maqedoni. Po në 2011, u mor edhe Superkupa dhe u bë debutimi në Europës, pikërisht në Champions. Kjo epokë e madhe u kërcënua të ndërpritej keq nga kriza financiare, dhe tifogrupi “Ballistët” si dhe kryesia e klubit kërkuan afrimin e kompanisë “Ekolog” si sponsor dhe si udhëheqje.

Fushata u quajt “Ekolog thuaj po”, dhe ajo u përkrah gjerësisht, deri nga kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana. Përgjigja erdhi në korrik 2013 nga Lazim Destani: Të dashur Ballistë, përgjigja e Ekologut është PO Shkëndija”!

Menjëherë nisi ndryshimi për mirë dhe Shkëndija nisi të ngjitej në ligë, si dhe arriti suksesin e parë në Europë, në 2014 ndaj ekipit të Moldavisë, Zimbru, me shifrat 2-1. Në 2016, tetovasit fituan Kupën e Maqedonisë dhe u shpallën nënkampionë. Sezoni i vjetshëm ishte i jashtëzakonshëm në Ligën e Europës.

Shkëndija kaloi tre ture, eleminoi polakët e Krakovias, azerët e Nefçit dhe çekët e Mladës, dhe arriti deri në plej of. Suksesi vazhdoi edhe këtë verë, ku sërish u kaluan tre ture dhe u eleminuan moldavët e Daçias, finlandezët e HJK Helsinkit dhe lituanezët e Trakait.

Ja shpërblimi i madh në short, Milani. Kjo e enjte në “San Siro”,ku do te  luhet Milan-Shkëndija, dhe kthimi një javë më vonë. Trajneri Qatio Osmani dhe mbrojtësi Ardian Cuculi treguan si u ndjenë për sfidën me 7 herë kampionët e Europës.

“Për Milanin nuk ka nevojë të flasim shumë, e dimë emrin dhe historinë e tij, edhe pse vitet e fundit nuk ka qenë në majat e Europës, – thotë trajneri, – ne do të përgatitemi për të qenë gati, për të nderuar veten dhe tifozët. Në futboll, çuditë mund të ndodhin”.

“Milani ishte skuadra më e fortë që mund të na binte, – thotë ish-lojtari i Partizanit të Tiranës, – por, nuk do të luajmë me frikë. Synimi ynë ishte dhe mbetet të kalojmë në fazën e grupeve në Ligën e Europës”.

Kalon apo nuk kalon në fazën e grupeve, Shkëndija tashmë e ka shkruar historinë e saj. Me suksesin ndaj Vardarit kampion në nisje të ligës maqedonase, shqiptarët e Tetovës shpresojnë të arrijnë një kulm tjetër, titullin e dytë.

Sfidanti.al