Nuk ka si bëhet më i ndryshëm largimi i Xhani De Biazit me Kristian Panuçin. Federata Shqiptare e Futbollit vendosi, më në fund, shkarkimin e trajnerit të ekipit përfaqësues pak orë pas disfatës me Turqinë në Shkodër, për eleminatoret e Europianit. Për momentin, skuadra drejtohet nga Ervin Bulku, Sulejman Mema dhe pjesa tjetër e stafit teknik, që do ta përgatisin për ndeshjen e dytë eleminatore në Andorrë, të martën.
FSHF njoftoi me një deklaratë zyrtare përfundimin e bashkëpunimit, ndërsa duket se presidenti Armand Duka u pendua shumë shpejt për mbështetjen që i dha Panuçit nëntorin e kaluar, menjëherë pas eleminimit nga Liga e Kombeve. Kombëtarja u mund 0-2 nga Turqia, duke luajtur dobët sidomos në pjesën e dytë, dhe burime pranë saj pohuan se Panuçi nuk i ka pasur të mira marrëdhëniet me lojtarët e tij.
Pritet të shihet nëse Duka do të vazhdojë me “linjën” e trajnerëve të huaj, apo do të kthehet tek trajnerët shqiptar, i fundit i të cilëve, Sulejman Demollari, u shkarkua pikërisht nga Duka pas humbjes në … Andorrë në vitin 2002.
Në tetor dhe nëntor, burime në Federatë, pohuan se Duka pati kontakte me trajnerë italianë dhe kroatë, ndërsa një trajner shqiptar mund të ishte drejtuesi i përkohshëm. Duket se këto përpjekje nuk dhanë rezultatet e pritshme, ose presidenti gjykoi se koha ishte tepër e shkurtër, dhe ai vendosi të vazhdonte me Panuçin, diçka që e ndryshoi sot.
Italiani u largua mbrëmjen e së premtes, tepër i nervozuar pas konferencës për shtyp, ndërsa krejt i kundërt ishte largimi i Xhani De Biazit, që u përcoll me të gjitha nderet, jo vetëm nga Federata, por edhe nga qeveria shqiptare si dhe nga Ambasada e Italisë në Tiranë.
Sfidanti.al