Nëse ka një vend kur tradhëtia shitet si një zakon i spikatur për burra, futbolli është loja më e përshtatshme, vendi ideal për ta ushtruar. Kur po qanim hallin e shefit të futbollit që e lodhën listat e pambarimta të trajnerëve që lakmojnë stolin e ekipit “Shpresa”, u shtua dhe një hall tjetër, si për të vërtetuar atë shprehjen e moçme “ halli nuk i ngjan hallit”. Arjan Bellai, trajneri i ekipit përfaqësues të 19 vjeçarëve, ka shkuar në Federatë për të njoftuar listën e futbollistëve për një turne të afërt.
E dini se cila ka qënë përgjigja? “ Çfarë liste, po thua? Atë e ka sjellë Tramezani”. Njeriu më i afërt i De Biazit, që mban postin e shefit fuqiplotë për trajnerët e moshave, ai që ka një sjellje elegante në publik, mori pësipër listën, pa dënjuar të respektonte rregullin e shenjtë të komunikimit me kolegun. Edhe pse Arjan Bellai nuk është as i pari, e as i fundit në listën e atyre që shkarkohen, të duket më i ëmbël stili i largimit të trajnerëve në Superligë , ku paralajmërohet humbja e stolit.
Sfidanti.al