Është një histori e vonshme, madje shumë e vonshme. Emri e ka Rasenball Lajpcig, shkurt RB Lajpcig dhe sponsorizohet nga një tjetër RB, Red Bulli. Origjina aspak tradicionale nga një klub i kategorisë së pestë gjermane quajtur SSV Markranshtet, me qendër në një qytet të vogël me 15 000 banorë.
Fati i SSV-së ishte që ndodhej pranë Lajpcigut dhe që bosi i Red Bullit, austriaku Mateshiç, ra në dashuri me planet e tij për një skuadër të madhe futbolli. E bleu në 2009 dhe i vuri vetes detyrë që brenda 8 viteve ta ngjiste në Bundesligë.
RB Lajpcigu jo vetëm që tani është në elitën e Gjermanisë, por është edhe kryesues i Bundesligës së bashku me “madhërinë e tij” Bajern. i vogli dhe i madhi kanë nga 24 pikë.
Skuadra luan në një stadium mjaft dinjitoz, prej 45 000 vendesh, rinovuar për Kupën e Botës 2006, por qysh tani Arena po quhet e vogël, Lajpcigu me gati 600 000 banorë dhe rrethinat ka nevojë për një impiant më të madh dhe ja ku u përpiluan planet për një Arenë me 70 000 vende.
Një mrekulli që po ndodh në sytë tanë, sipas metodikës dhe disiplinës së pashoqe gjermane.
B. Kuka