Nuk humb rast pa treguar se për kë i rreh zemra. Nejmar u largua me dëshirë, madje në mënyrë vullnetare nga Barcelona dy vjet e gjysmë më parë, por është e qartë se mezi pret që të kthehet. Përtej zemërimit me ndonjë drejtues në “Kamp Nou”, dhe një gjyqi “për punë nderi”, më shumë sesa për punë parash, superylli brazilian e dëshiron më shumë se çdo gjë që të veshë sërish fanelën “blaugrana”.
Një foto e tij, në ditët e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, së bashku me Lionel Mesin e Luis Suarezin, e përforcon edhe më shumë këtë përshtypje. Nuk është hera e parë që “Ney” takohet me ish-shokët e tij të sulmit, dhe besimi i tifozëve është që treshja e madhe MSN do të krijohet përsëri. Në sezonet 2014-2017, kjo treshe realizoi 364 gola në 450 ndeshje, dhe mbi të gjitha fitoi Championsin në 2015, diçka që Barça nuk po e arrin dot që nga ajo kohë. Klubi katalanas do të duhet të paguajë jo pak për Nejmarin, pasi Paris SG e mori për 222 milionë euro. Gjithsesi, pritet që këtë verë transferimi “mbrapsht” të kryhet dhe katalanasit ta kenë më të lehtë për ta marrë sesa verën e kaluar, qoftë nga ana sportive, qoftë nga ana financiare.
Sfidanti.al