Me ekipin kombëtar po arrin në 100 paraqitje (96 saktësisht) dhe 26 gola. Xherdan Shaqiri ka status gati prej heroi tek Zvicra, siç e tregoi edhe në Euro 2020 ku shënoi 3 gola në 5 ndeshje duke dhënë edhe një asist. Gjithsesi, me ekipet e klubeve, shqiptari nga Kosova ka ende diçka për të provuar. Shaqiri ka qenë gjithnjë i vlerësuar për nivelet më të larta, dhe jo më kot arriti tek Bajerni, Interi dhe Liverpuli, por nuk arriti kurrë të bëhej lojtar formacioni. Ai ka luajtur vetëm gjysmën e minutazhit kur është aktivizuar, ndërsa në 405 ndeshje ka shënuar 74 gola e ka shërbyer 72 asiste.
Totali i shumës së paguar në karrierë për kartonin e Shaqirit arrin në 70 milionë euro, jo keq për një lojtar të Zvicrës dhe që e ka nisur me futbollin tek Bazeli. Plot 11.6 milionë euro i pagoi Bajerni, 15 milionë u dhanë nga Interi, afërsisht e njëjta shumë u desh të jepej edhe nga Stouk Siti, dhe diçka rreth 18 milionë kushtoi kartoni i shqiptarit të Zvicrës për Liverpulin. Tashmë, Lioni pagoi rreth 12 milionë euro, dhe shpresohet që Xherdan Shaqiri të bëhet përfundimisht lojtar titullar në ish-kampionen e Francës.
Sfidanti.al