Aventurës në Italinë e Jugut duket se i erdhi fundi vërtet. Elseid Hysaj e Napoli shpejt pritet të ndahen, por sipas agjentit të lojtarit shqiptar, atë e pret një e ardhme sërish e ndritur. Mbrojtësi 27-vjeçar është përfolur si pjesë në të ardhmen e Romës apo e Milanit, dhe agjenti Mario Xhufredi, flet me besim. “Ka shumë klube që interesohen për të, – tha Xhufredi, për Radio Kis Kis, – Elseidi me shumë gjasa do të luajë në Champions sezonin e ardhshëm, ndonëse është shumë shpejt për të folur”.
Zv. kapiteni i kombëtares shqiptare nuk pritet të rinovojë me Napolin kontratën që i përfundon këtë verë, pasi klubi i Serisë A nuk dëshiron të shpenzojë për të plotësuar kërkesat financiare të tij, e ndoshta mund të ketë strategji për lojtarë të tjerë. Hysaj kërkon 3 milionë euro rrogë në sezon, por sipas mediave italiane mund të ketë një akord prej 2.5 milionësh. Agjenti i shqiptarit thekson se për të ardhmen e tij ka rëndësi të ketë qartësi se cilët do të jenë trajnerët e ekipeve ku ai mund të shkojë.
Futbollisti shkodran është në Itali prej 10 vjetësh, duke u ngjitur me Empolin nga Seria B në Serinë A. Trajneri Mauricio Sarri e mori nga Empoli tek Napoli ku ndodhet prej 6 sezonesh, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm. Karriera e tij në ish-ekipin e Maradonës ka pasur kulme dhe rënie, sidomos pasi Sarri u largua tek Çelsi dhe tek Napoli erdhi Karlo Ançeloti. Gjithsesi, me trajnerin aktual, Xhenaro Gatuzo, mbrojtësi i djathtë ka sërish rol të rëndësishëm, por vetë Gatuzo nuk pritet të vazhdojë me ekipin sezonin e ardhshëm.
Sfidanti.al