Sërish dështim në Lisbonë, Feliks s’mjafton për Atletikon, kalon Lajpcigu!

Kryeqyteti i Portugalisë do të shënohet me shkronja sterrë të zeza, ose me sfond të zi në historinë e klubit madrilen, sepse aty ndodhi një tjetër tragjedi futbolli. Atletiko u eleminua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, e mundur meritueshëm 2-1 nga Lajpcigu gjerman, e duke dështuar sërish në objektivin më të madh. Kush pyeti se skuadra e trajnerit Simeone u vlerësua si favorite në prag, Lajpcigu kishte mendime të tjera dhe ashtu siç luajti ishte e drejtë që u kualifikua. Shumë më mirë fizikisht lojtarët e ekipit të Bundesligës, shumë më të shpejtë dhe më agresivë, me 11 faulla që në pjesën e parë (ndaj dy të spanjollëve), ndërsa bardhekuqtë u duk sikur kishin mbetur në festimet e “Anfildit”.

Spanjolli Dani Olmo, i marrë nga Dinamo e Zagrebit, shënoi të parin në 50’, Zhoao Feliks barazoi në 71’, por Tajler Adams vulosi fitoren e të tijve dy minuta para fundit. Triumf i madh e domethënës për ekipin e trajnerit Julian Nagelsman, një profesionist që është parashikuar si e ardhmja e Bajernit, aq më tepër që ylli kryesor, Timo Verner, ishte larguar për tek Çelsi. Halstenberg e Upamekano patën raste për gjermanët në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit u luajt sërish me agresivitet dhe u shënuan golat. Për Atletikon shpëton vetëm Zhoao Feliks, që hyri në fushë në 58’, duke ndryshuar lojën, duke fituar e shënuar penalltinë, e duke krijuar raste. Nuk dihet se cila do të jetë tani e ardhmja e Simeones, ndërsa Lajpcigu do të synojë një tjetër goditje të madhe, në gjysmëfinale ndaj Paris SG.

Sfidanti.al