Seria A, çfarë dueli Napoli-Milan për titull!

Skuadra e dikurshme e Maradonës e tregoi gjithë pretendimin e saj për të fituar më në fund “skudeton”, gjithë seriozitetin dhe potencialin, me fitoren e madhe në fushën e Atalantës. Edhe pse bergamaskët e Gasperinit nuk janë ata të vjetshmit e të parvjetshmit, sërish është gjë e madhe të fitosh në stadiumin e tyre, por Napoli i Spaletit e bëri, madje me përmbysje. Osimheni i rikthyer si “i tërbuar” dhe Elmas (në vend të Kvaratskelias) ishin autorët e golave për napolitanët që triumfuan 2-1 dhe arritën në kuotën e 35 pikëve, me golat 32-10. Askush si ata në Serinë A këtë vit.

Gjithsesi, Milani e tregoi se përse është kampion dhe se ka karakterin e fortë. Fitorja ndaj Specias ishte tepër “e vogël”, vetëm 2-1 në “San Siro” dhe arritur në minutën e parafundit. Teo Hernandez është kthyer në një pikë referimi dhe shënoi golin  parë, ndërsa pasi djali i Paolo Maldinit, Daniele, barazoi për Specian, ishte “plakushi i artë”, Olivie Zhiru që siguroi fitoren. Milani ka 29 pikë, pra gjithçka mbetet e hapur në garën për titull.

Sfidanti.al