Sergio Ramosi kritikon Perezin me fjalët e … Santiago Bernabeut

Është ende kapiten i Realit të Madridit, por duket se nuk e kanë me shumë qejf, dhe mezi presin që ta “heqin qafe”. Sergio Ramos nuk veshi doreza, as nuk kafshoi gjuhën ndërsa dha një intervistë për Amazonin. Në një bisedë, padyshim të autorizuar nga klubi, veterani nuk ngurroi të fliste hapur, edhe pse nuk përmendi me emër presidentin Florentino Perez. Kur u pyet për rinovimin, ai tha vetëm që “nuk ka asgjë të re për këtë gjë, kur të marr informacion, do të jesh i pari që do ta mësosh”. “Ka shumë paqartësi, – vazhdoi ai, – do të më pëlqente që të kisha diçka të përcaktuar, por nuk ka. Do të më kishte pëlqyer”.

Qendërmbrojtësi që mbush 35 vjeç në 30 mars nuk e fshehu dëshirën për të vazhduar në Madrid, dhe e kritikoi presidentin aktual me fjalët e presidentit më të madh të Realit. “Santiago Bernabeu thoshte se nuk ka lojtarë të rinj e të vjetër, ka vetëm lojtarë të mirë dhe më pak të mirë, – tha ai, – Zllatan Ibrahimoviç është nga të mirët (gati 40 vjeç). Edhe unë jam i bindur se me fizikun që kam mund të luaj edhe 4 apo 5 vjet të tjerë në nivelet më të larta”. Më tej, kapiteni madrilen shprehu dëshirën për të fituar edhe shumë El Klasiko të tjerë në të ardhmen, pra për të vazhduar tek Reali.

Sfidanti.al