Trajneri i Partizanit të Beogradit, Miroslav Gjukiç, tha në Tiranë se shpreson që të arrijë një rezultat të mirë në ndeshjen e Ligës së Evropës me Skënderbeun e Korçës (21:05, Elbasan), ndërsa vuri në dukje se bardhezinjtë do të dërgojnë nga Shqipëria një mesazh paqeje. “Neve na pret një ndeshje me një ekip të fortë dhe agresiv. Fjala është për një ekip që luan një futboll ofensiv. Jemi të vetëdijshëm se kjo ndeshje është vendimtare, shpresojmë që të luajmë mirë dhe të arrijmë një rezultat të mirë”, tha trajneri i Partizanit të Beogradit, duke shtuar: “Ne, këtu (në Shqipëri) jemi super trajtuar, nuk ka asnjë problem dhe nuk kemi frikë në asnjë ambient. Ne kemi ardhur këtu që të luajmë futboll, 11 me 11, në fushën e lojës. Ata do ta vendosin fatin e lojës. Ne jemi mësuar të luajmë në ambiente të vështirë, jemi profesionistë”.
Pyetjes që iu bë trajnerit të Partizanit se çfarë mesazhi do të dergonin bardhezinjtë beogradas nga Shqipëria, Gjukiçi iu përgjigj, duke thënë: “Do të dërgojmë një mesazh paqeje. Futbolli asnjëherë, nuk ndan, por afron. Mesazhi është se ne jemi trajtur mirë, ndërsa shpresoj se ne do të pranohemi mirë edhe nga ana sportive dhe që fituesin ta përcaktojë një lojë korrekte dhe e ndershme. Shpresoj se kuptohet se ne, të gjithë, kemi nevojë për paqe në rajon. Ne nuk duhet të krijojmë tensione, sepse futbolli është një ambasador që i bashkon njerëzit”, tha trajneri i Partizanit të Beogradit në Tiranë.
Portieri i Partizanit, Vladimir Stojkoviç, nga ana e tij, vuri në dukje në Tiranë se shpresonte se “ndeshja do të ishte e bukur për publikun, se ajo do të jetë e ndershme dhe se do të fitojë ai ekip që do të jetë më i mirë”. Stojkoviçi, në fakt, ndodhet në një formë shumë të mirë që nga fillimi i sezonit.
Sfidanti.al