Salcburgu si Roma apo Juventusi, Lacio tjetër “viktimë” e madhe

Liga e Europës nuk deshi të mbetej prapa Championsit përsa i përket emocioneve dhe tronditjeve. Pasi Roma eleminoi me trimëri të madhe Barcelonën, dhe pasi Juventusi iu afrua mrekullisë në fushën e Realit, ishte radha e Salcburgut që të shkaktonte surprizën e madhe, duke përmbysur e duke nxjerrë jashtë Lacion favorite.

Skuadra austriake triumfoi 4-1 në fushën e saj, pra zhvleftësoi suksesin 4-2 të italianëve në stadiumin “Olimpiko” duke dalë në gjysmëfinale. Kjo, pavarësisht se Çiro Imobile kaloi miqtë në avantazh në 55’. Munas Dabur (56’), Amadu Haidara (72’), Hi-Çan Huan (74’) dhe Shtefan Lainer (76’) ishin autorët e golave në prani të gati 30 000 spektatorëve në “Red Bull Arena”.

Kjo ishte hera e dytë në histori që Salcburgu arrin në gjysmëfinalet e një kompeticioni europian, pasi ia doli në 1994 nën drejtimin e ish-trajnerit të kombëtares shqiptare, Oto Bariç, kur doli në finale të Kupës UEFA dhe u mund nga Interi.

Në Ligën e Europës, Olimpiku i Marsejës fitoi duelin franko-gjerman ndaj Lajpcigut duke triumfuar 5-2 në stadiumin “Velodrom”. Ekipi i ish-kapitenit Lorik Cana kishte humbur 0-1 në Gjermani, dhe pësoi gol që në minutën e dytë, por nuk u dorëzua. Në minutën e 60-të, Dimitri Paje shënoi për 4-2 dhe në fund Hiroki Sakai vulosi shifrat 5-2.

Tronditje e madhe për Arsenalin, por për fat pa pasoja. Në Moskë, CSKA-ja vendase shënoi dy gola dhe ishte pranë përmbysjes së humbjes 1-4 të Londrës. Fjodor Çalov dhe Kirill Nababkin ishin autorët, me Petr Çehun që gaboi rëndë, por Dani Uelbek dhe Aron Ramsej barazuan me londinezët që arritën në gjysmëfinale.

Po në gjysmëfinale edhe favoritja e kompeticionit, Atletiko e Madridit. Humbja 0-1 në fushën e Sportingut të Lisbonës nuk mjaftoi për t’ia zhbërë fitoren 2-0 në shtëpi.

Sfidanti.al