Salah mërzitet për kontratën, Liverpulit i dhemb koka nga borderoja e rrogave!

Agjenti i tij, Rami Abas Idrisa, reagoi në rrjetet sociale pasi “Faraoni” shënoi në javën e parë të Premier Ligës se “shpresoj që ata të jenë duke e shikuar”. “Ata” në këtë rast janë pronarët amerikanë të Liverpulit, të cilët sipas Pep Guardiolës e duan më shumë klubin anglez si “lopë për ta mjelë” sesa si dashuri për t’i bërë krenarë. Burime pranë Mohamed Salahut tregojnë se sulmuesi egjiptian është i predispozuar që të vazhdojë në “Anfild” pas vitit 2023 kur i përfundon kontrata, por kuptohet dëshiron rritje rroge. Ai nuk fiton pak, 200 000 paundë stërlina në javë që shtohen ndjeshëm nga bonuset, por tashmë kontrata mbi 300 000 paundë stërlina në javë janë bërë “rregull” për yjet në Premier. Liverpuli vazhdon të ngurrojë dhe bisedimet po zgjasin. Besohet se klubi është i shqetësuar për totalin e rrogave që ka arritur në 326 milionë paundë stërlina në sezon, me rritje 117 milionë, pra 56 për qind, vetëm në 3 vitet e fundit. Ndoshta mund të gjendet një zgjidhje për Salahun, yllin që ka shënuar 126 gola e ka 49 asistë në 204 ndeshje.

Sfidanti.al