Sadiku është heroi i ri në Spanjë: I lumtur që golat e mi ndihmojnë Malagën!

Dy golat e fundit e bënë një hero. Ishte që më parë i rëndësishëm Armando Sadiku për Malagën, por gjithkush e kuptoi se tashmë është i domosdoshëm. Televizioni El Desmarke, pas kësaj, i mori një intervistë ekskluzive futbollistit të kombëtares shqiptare. Sa presion i jep fakti se është sulmuesi i vetëm i ekipit.

“Më jep më shumë motivim. Kur futem në lojë, dua që të jem një shembull për të gjithë shokët. Dua të tregoj gjithmonë e më shumë. Dy javët që kam qenë i sëmurë, i kam vuajtur shumë. Doja të luaja edhe i dëmtuar. Mendoj kështu sepse e konsideroj privilegj kur zbres në fushë”.

Karriera nuk ka qenë e lehtë, me dy dëmtime të rënda të gjurit.

“Fatkeqësisht, kam pasur shumë dëmtime gjatë karrierës sime. Më kanë penalizuar sepse jam dëmtuar pikërisht në momentet më të mira. Dëmtimet e tilla që më kanë lënë jashtë për kohë të gjatë. Megjithatë, falë Zotit jam këtu, ka ndodhur çfarë ka ndodhur. Tani jam mirë dhe për mua gjithçka është e kaluar kur ndihem i lumtur dhe kur mund të tregoj më të mirën në fushë. Gjithçka harrohet kur je mire”.

Kush nuk e kujton festimin pas golit në Euro 2016 ndaj Rumanisë.

“Për fat që nuk dola nga stadiumi (qesh… c). ai ishte një gol që ndodh një herë në karrierë. Një herë në jetë. Të shënoja atë gol, për mua ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Një ëndërr që m’u bë realitet. Ishte… fantastike. Në atë moment kisha aq shumë emocione dhe aq shumë kënaqësi, sa nuk dija t’i shprehja”.

Padyshim, tek Malaga e ndihmon edhe prania e Keidi Bares.

“Kemi marrëdhënie shumë të mirë. Jo vetëm ne, por edhe familjet tona. Jemi gjithmonë bashkë dhe kalojmë kohë bashkërisht me të dyja familjet. Për mua ishte miku i parë këtu në Malaga dhe më ka ndihmuar shumë”.

Sadiku pyetet edhe për mënyrën sesi e kalon kohën e lirë.

“Jam një djalë i qetë. Nuk bëj shumë gjëra. Kur mbaroj stërvitjen, shkoj në shtëpi për të ngrënë dhe më pas pushoj. Më vonë dal me gruan time në Malaga për të shijuar kohën e lirë. Më pëlqen të shoh filma, të bëj blerje në dyqane dhe të pushoj”.

Sfidanti.al