Xhenaro Gatuzo po merrte nota pozitive njërën pas tjetrës, dhe po cilësohej si heroi i ringjalljes së Milanit. Shumë ndeshje të mira, disa fitore dhe mbështetja për të rinj të talentuar bënë që ish-legjenda kuqezi të mendohej si zgjedhja e duhur nga klubi i madh italian.
Mjaftuan dy humbje, që gjithçka të kthehej më keq se më parë, disfata në derbin me Interin në Serinë A (0-1), dhe humbja e rëndë me Betisin në “San Siro” në Ligën e Europës (1-2).
“Kujdes Gatuzo, koha thuajse po skadon”, ishte paralajmërimi në një editorial të “La Gazeta delo Sportit”. “Ne ishim për turp, – pranoi trajneri, – kështu nuk do të shkojmë larg. Unë jam përgjegjësi numër 1, dhe është normale që jam vënë në diskutim”.
Skuadra spanjolle u tregua superior në “San Siro”, edhe pse nuk është një Real, një Barcelonë apo një Atletiko Madrid, por ky Milan ende nuk është në gjendje të përballojë as kaq. Klubi gjithsesi i doli në krah trajnerit dhe bëri me dijë zyrtarisht se “Gatuzo nuk rrezikon stolin”. Sidoqoftë, siç e pohon edhe vetë, nëse vazhdohet kështu, nuk do të ecet gjatë.
Sfidanti.al