Nuk mund të hidhen poshtë as italianët, për meritë të Lacios, por gjithsesi Liga e Europës po sheh “me sy më të mirë”, skuadrat spanjolle dhe angleze. Përveç Betisit që fitoi në fushën e Milanit, La Liga u përfaqësua denjësisht nga Vijarreali që mundi 5-0 në shtëpi Rapidin e Vjenës, dhe nga Sevilja që triumfoi po në fushën e vet, 6-0, me turqit e Akhisarit.
Anglezët po i përfaqëson Londra. Arsenali arriti fitoren e 11-të radhazi këtë sezon, nën drejtimin e trajnerit Unai Emeri, dhe ishte sukses i rëndësishëm. Vetëm 1-0, por kjo ndodhi në fushën e Sportingut të Lisbonës, me golin e Dani Uelbekut. Çelsi luajti me shumë rotacion ndaj BATE-s së Borisovit, por trajneri Sarri u nderua nga zëvendësuesi Loftus-Çik që realizoi të tre golat në fitoren 3-1 ndaj bjellorusëve.
Të forta edhe disa nga skuadrat lindore. Zeniti i Shën Peterburgut i Rusisë, fitoi në shtëpi 2-1 ndaj Bordosë dhe kryeson grupin me 7. Spartaku i Moskës mori barazim 0-0 në Skoci ndaj Gllazgou Rejnxhërsit, edhe pse mbetet në vend të fundit në grup (ende me shpresë). Për fat të keq, Krasnodari u mund në minutën e fundit në Belgjikë nga Standardi i Liezhit, 1-2.
Sezon i mbarë për Dinamon e Zagrebit që duket se do të jetë për herë të parë pas shumë e shumë vitesh, në pranverë në Europë. Nuk do të ishte gjë e vogël, pasi klubi më i madh i Kroacisë nuk ia del që nga viti 1970. Suksesi 2-1 në Sllovaki ndaj Spartakut të Trnavës, bën që t’i duhet edhe 1 pikë për t’u kualifikuar.
Sfidanti.al