E shkuara nuk e bën të ardhmen, por tregon diçka se përse duhet të ndodhë kështu dhe jo ndryshe. Kur Karl-Hajnc Rumenige tha se “Interi është favorit për titullin në Serinë A”, padyshim aty pati edhe nostalgji zikaltër, për njeriun që e ka veshur dikur atë fanelë, por faktet e mbështesin pohimin e “Kalles”. Ata që merren me statistika na tregojnë se trajneri i Interit, Antonio Konte, ka gjithsej 100 javë në krye të kampionateve, siç është tani, gjë që e ka bërë edhe me Juventusin e Çelsin. Statistika vazhdon me faktin që Konte kurrë nuk ka zbritur nga kreu kur ka qenë aty, një garanci jo e vogël për të parashikuar suksesin interist.
Një fitues i lindur, trajneri tregon se një moment i rëndësishëm i jetës së tij ishte kur Italia doli kampione e botës në Spanjë në1982, ai ishte 13 vjeç dhe vraponte e bërtiste nga gëzimi në rrugët e Leçes. “Ajo që ndodhi më mësoi se në jetë asgjë nuk është e pamundur nëse ke idetë e duhura”, – thotë sot Konte. Ai mban në zyrë foton e Tardelit duke festuar pas golit në finalen me Gjermaninë Perëndimore, si dhe foton e presidentit Pertini që thërriste (gjermanët) “nuk do të na kapin dot më”. Po Antonion a do të mund ta kapin? Mbështetur tek tradita, duket se nuk do t’ia dalin.
Sfidanti.al