Rruga drejt Tiranës, Roma e Kumbullos provon fatin në Norvegji!

Për nder të vendit ku do të dorëzohet trofeu, në ceremoninë e shortit ishte ftuar një legjendë. Lorik Cana, ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, ishte njeriu që nxorri goglat për Ligën e Konferencës, finalja e së cilës do të luhet në Tiranë në 25 maj, ndërsa sot, pretendentët nisin fazën çerekfinale. Objektivin për në “Arenën Air Albania” e kanë disa ekipe, por spikat Roma e Zhoze Murinjos dhe e mbrojtësit të kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, që luan sot në fushën e Bodo Glimtit në Norvegji, aty ku u mundën 1-6 në fazën e grupeve. Kumbulla pati një mbrëmje për t’u harruar duke qenë fajtor të paktën për 2 gola, por gjithsesi Murinjo, do t’ia kursejë stresin.

Ai pritet ta nisë nga stoli. Abraham do të luajë edhe pas dëmtimit në Serinë A, po ashtu Pelegrino, por mungojnë Zaniolo, Spinacola dhe Veretut. Konferenca për shtyp pati një moment për të qeshur, kur u duk se nuk kishte asnjë pyetje dhe Murinjo reagoi siç e ka zakon. Një gazetar norvegjez e pyeti Murinjon “si ndiheni që jeni në Bodo sërish?”. “E thashë herën e parë, – u shpreh portugezi, – një vend i bukur me pasion për futbollin. Është një kënaqësi që vij këtu, edhe pse nuk është mirë që luajmë në një fushë me bar sintetik. Detyra jonë është të përpiqemi që të kualifikomi për në gjysmëfinale”. Murinjo pati edhe një incident kur shkoi të takonte tifozët vendas, por dikush i hodhi një top dëbore, dhe trajneri ndërroi rrugë duke u larguar.

Një duel tjetër që spikat sot është ai i Ligës së Europës mes Ajntrahtit të Frankfurtit dhe Barcelonës. Katalanasit janë favoritët për të fituar trofeun shkuan në Gjermani me besim për rezultat pozitiv, edhe pse ka disa dëmtime si Luk De Jong, Sergi Roberto, Ymtiti, Depai dhe Dest. Gjithsesi, Barcelona është në formë të madhe siç e tregoi në fitoren e El Klasikos në La Liga, 4-0 në fushën e Realit të Madridit.

Sfidanti.al