Të përditshmet e kryeqytetit kështu e kanë, ose të ngrenë në qiell, ose të “varrosin”, ndonëse duhet pranuar se janë më objektive sesa gazetat e Katalonjës. Heroi i tyre ishte Karim Benzema, njeriu që shënoi 3 gola për Realin ndaj Çelsit duke barazuar Kristiano Ronaldon.
“Big Ben, – shkruan “Marka” në anglisht, – tre gola të Benzemasë afrojnë Madridin me gjysmëfinalet. Vijarreal i madh ndaj Bajernit!”
“Mbreti i Europës, – është titulli i të përditshmes “AS”, – Benzema shënon të 3 golat në spektaklin e Madridit në “Stemford Brixh”!”
Vetë sulmuesi përshëndeti tifozët në përfundim. “Ola, – tha ai në spanjisht, – jemi shumë të kënaqur me fitoren këtu. Tani të bëjmë detyrën në Madrid”. “Ndershmërisht, ne patëm kontroll të mirë mbi ndeshjen, – tha trajneri Ançeloti, – Një mbrëmje e mirë, por është vetëm pjesa e parë e kësaj përballjeje, dhe duhet të mbetemi të përqëndruar, ta përgatisim siç duhet ndeshjen e dytë. Ne patëm një paraqitje të shkëlqyer në sulm nga ana e Benzemasë, që shënoi 3 gola”.
Sfidanti.al