Rrahmani nuk mjafton, në Champions shkojnë Juve e Milan, jo Napoli!

Një shqiptar nga Kosova mund të ishte bërë heroi për arritjen e madhe. Jo se Napoli nuk kishte qenë në të kaluarën në Champions, por kjo do të kishte qenë diçka e veçantë pasi goli i Amir Rrahmanit mund të kishte zbritur në Ligën e Europës vetë Juventusin. Kjo gjë nuk ndodhi sepse napolitanët nuk arritën të mbanin dot fitoren në stadiumin “Maradona”, duke u ndalur në barazim 1-1 me Veronën që e respektoi deri në fund kampionatin. Davide Faraoni barazoi në 69’, pasi Rrahmani kishte shënuar në 60’, dhe emrin e tij tifozët juventinë me siguri do ta shënojnë me shkronja të arta në mendjen e tyre.

Barazimi i Napolit i dha kuptim fitores së thellë të Juventusit, 4-1 në “Dal’ Ara” të Bolonjës. Skuadra e trajnerit Andrea Pirlo e mbylli kampionatin siç duhet ndonëse u ndihmua nga të tjerët për të shkuar sërish në Champions, aty ku është që nga viti 2012. Pa Kristiano Ronaldon në ekip, golat u shënuan nga Kieza, Morata, Rabio dhe sërish Morata. Milani, ndërkaq, e bëri detyrën duke fituar 2-0 në fushën e Atalantës që e kishte arritur kualifikimin për në Champions  që më parë. Frank Kesi shënoi 2 herë me penallti në fundin e çdo pjese. Edhe pse pa Zllatan Ibrahimoviçin ekipi i trajnerit Pioli tregoi karakter dhe suedezi do të jetë në Champions sezonin e ardhshëm.

Rezultatet: Atalanta-Milan 0-2, Bolonja-Juventus 1-4, Napoli-Verona 1-1, Specia-Roma 2-2, Sasuolo-Lacio 2-0, Torino-Benevento 1-1, Inter-Udineze 5-1.

Renditja: Inter 91 pikë, Milan 79, Atalanta 78, Juventus 78, Napoli 77, Lacio 68, Roma 62, Sasuolo 62, Sampdoria 52, Verona 45, Xhenoa 42, Bolonja 41, Fiorentina 40, Udineze 40, Specia 39, Kaljari 37, Torino 37, Benevento 33, Krotone 23, Parma 20.

Sfidanti.al