Nuk mund të kishte krahasim dhe madje edhe trimëria e Leisterit në Angli në 2016 duket e vogël para kësaj. Një skuadër trimëreshë i preu rrugën gjigandit Paris SG dhe i mori titullin. Kjo “hirushe” e ka emrin Lilë OSC, një ekip relativisht modest i Francës së veriut që shkaktoi një tërmet të vërtetë duke shkundur nga themelet klubin masiv të kryeqytetit, me arkat plot me miliarda dhe me yjet më të shkëlqyer në fushë. Lila fitoi 2-1 në fushën e Anzherit në ndeshjen e fundit të Ligës së Parë, duke e mbyllur me një pikë më shumë sesa PSG-ja. Në 38 javë “lillois”-ët fituan 83 pikë ndaj 82 të ekipit të sheikëve. Zhonatan David dhe Burak Jilmaz me penallti ishin autorët e golave të fitores.
Një emër “i shenjtë” ishte ulur në stol, trajneri Kristof Galtier që ktheu titullin tek Lila pas 10 vjetësh, ndërsa ky ishte kampionati i 4-ët i fituar në histori. Gjigandët e Parisit u detyruan të kënaqen me vendin e dytë edhe pse fituan 2-0 në Brest. Një autogol i Romen Favresë dhe një gol i Kilian Mbapesë në 71’ i dhanë fitoren ekipin e trajnerit Maurisio Poçetino, ndërsa nuk dihet se cili do të jetë fati i yjeve. Ndoshta Mbape ka luajtur ndeshjen e fundit me fanelën e PSG-së e mund të kalojë tek Reali këtë verë.
Sfidanti.al