Dy superyjet e epokës sonë janë të tillë që mund të kërcënojnë edhe rekordet e “Perëndive”. Fillimisht, Lionel Mesi kaloi rekordin e Pelesë me 644 golat e shënuar për Barcelonën (ndaj 643 të brazilianit për Santosin), ndërsa tani Kristiano Ronaldo kaloi rekordin e golave zyrtarë në karrierën e Pelesë. Portugezi ka 758 gola ndaj 757 që statistikat thonë se ka braziliani. CR7 realizoi dy rrjetat në fitoren 4-1 të Juventusit ndaj Udinezes, duke lënë pas humbjen 0-3 në shtëpi kundër Fiorentinës. Ai dhuroi edhe një asist për Federiko Kiezën, ndërsa pati kohë që edhe Paulo Dibala të shënonte për kampionët. Udineze goditi dy shtylla dhe realizoi vetëm në fund me anë të Marvin Zegelarit. Juventusi ka tani 27 pikë, 10 më pak se Milani, por ka edhe një ndeshje për të luajtur, atë që është e shtyrë në Torino ndaj Napolit.
Për fat të keq, Alvaro Morata nuk do të jetë të mërkurën ndaj Milanit për shkak dëmtimi, dhe ndoshta mund të jetë Dibala shpëtimi i “Zonjës së Vjetër”. “Kemi nevojë për Dibalën, – tha trajneri Pirlo, – fituam, por nuk bëmë lojën më të mirë dhe ishte normale sepse vinim nga një humbje e rëndë. Përsa i përket përforcimeve kam folur me klubin. Një si Zhiru mund të na bënte punë”.
Sfidanti.al