Po të kishte mundësi, do të vazhdonte të luante futboll deri në pleqëri. Kristiano Ronaldo mendon se është në formë shumë të mirë edhe në moshën 34-vjeçare, dhe lajmet nga Italia janë që ai dëshiron të zgjasë kontratën me Juventusin. Flitet edhe për data e për shuma, pra për rinovim deri në 2023, dhe për rrogë mbi 35 milionë euro në sezon. Një bast i vështirë, i rrezikshëm, por edhe shumë intrigues pasi CR7-ta dëshiron të thyejë sa më shumë rekorde, të fitojë sa më shumë trofe e të bëhet pafundësisht i famshëm, ndërsa Juventusi shpreson ta shfrytëzojë deri në fund imazhin e tij, si markë biznesi në treg.
Bisedat, sipas mediave janë bërë, të paktën mes Ronaldos dhe agjentit të tij, Zhorge Mendes, ndërsa thuhet se numri 7 e ka shprehur dëshirën për kontratën e deri disa ditë pas humbjes ndaj Lacios në finalen e Superkupës së Italisë. Po sipas mediave, drejtuesi juventin Paratiçi, është i informuar mbi planet e portugezit, ndërsa planfikon t’i japë kontratë 3-vjeçare (deri në 2022) me të drejtë rinovimi edhe një sezon tjetër. Gjithsesi, pritet që gjithçka të përfundojë në prill ose maj, kur të kuptohet se çfarë trofesh mund të fitojë Juventusi këtë vit.
Sfidanti.al