Në verën e 2008-ës priteshin ndryshime të mëdha në “Kamp Nou”. Skuadra e parë do të kishte një trajner të ri, Pep Guardiolën, i cili e kishte studiuar gjendjen nga brenda, duke kuptuar se disa yje duhej të largoheshin. Përtej Ronaldinjos e Dekos, dy legjendave që do t’u vinte fundi, Pepi kishte vendosur që të dëbonte nga ekipi edhe Samuel Etonë, pasi e quante me karakter problematik. Kjo gjë dihej që atëherë, dhe Eto nuk e ka fshehur kurrë se nuk ka pasur relata shumë të mira me trajnerin e shquar.
Gjithsesi, edhe më të qartë janë dy lojtarë të Barcelonës të asaj kohe, ish-kapiteni Karles Pujol, si dhe mbrojtësi tjetër i qendrës, Gerard Pike që vazhdon të aktivizohet. “Erdhi Pepi, – tregojnë ata, – dhe pati ndryshime në ekip. Në verë, ne lojtarët u mblodhëm dhe diskutuam. Më pas i kërkuam trajnerit që ta mbante Etonë, që të kishte besim tek ai, ndërsa i premtuam se do ta kontrollonim që të sillej mirë”. “Samueli na jepte jetë, jo vetëm në sulm, por edhe në mbrojtje, – tregojnë sërish Pikeja dhe Pujoli, – ai e niste mbrojtjen që në sulm, mjaft në avancë, ishte i pari që bënte presion, një “vrasës”, një fitues”.
Sfidanti.al