Lamtumirë kohë të turbullta, në Itali ka dalë dielli. i mbiquajturi “Il bel paese” (vendi i bukur), por jeton kohë të lumtura në futboll pasi Seria A ka vendosur (deri tani) rekordin për mesataren e spektatorëve. Flasim për kampionatin me 20 skuadra, që ka nisur në 2001. Mesatarja e sotme është mbi 27 000 tifozë në çdo ndeshje, që vjen pas një rritjeje graduale, por të qendrueshme të dy viteve të fundit.
Rikthimi i Interit ka meritën më të madhe në këtë rritje, pasi zikaltërit kanë mesataren gati 64 500 tifozë në “San Siro” për secilën ndeshje. Diçka që ishte ndjerë që me Spaletin dhe që po forcohet me Konten. Milani, edhe pse mbetet “as mish, as peshk”, sërish ka ndjekje të konsiderueshme me gati 54 000 tifozë për çdo duel në shtëpi, ndërsa në vend të tretë është Juventusi me shifrën e përhershme gati 40 000 (saktësisht 39 692). Kristiano Ronaldo, Mauricio Sarri dhe treshja e sulmit kanë meritë më shumë për rritjen e shikuesve në stadiumet e tjera ku luan Juvja, sesa në Torino.
Jo keq dy ekipet e kryeqytetit, ndër të cilët Roma ka 35 837 dhe Lacio 35 688 tifozë për ndeshje, pra thuajse njësoj. Nuk duhet harruar se dy ekipet romane janë pretendentë për Champions, duke lënë pas Napolin, Atalantën e Milanin. Vetëm në javën e fundit, pesë stadiume në Itali kishin mbi 30 000 tifozë, diçka që nuk kishte ndodhur këtë sezon.
Sfidanti.al