Është përsëri e njëjta skuadra anti-Juventus. Pavarësisht nga humbja e ndeshjes direkte, Roma u afrua sërish në 4 pikë diferencë me kryesuesit duke fituar takimin e javës së 18-të ndaj Kievos, ndërsa kampionët nuk luajtën. Kryeqytetasit e nisën keq, pasi pësuan gol nga De Guzman, veçse barazuan në fund të pjesës së parë me autor El Sharauin. Shpejt, pas pushimit Xheko kaloi vendasit në epërsi, ndërsa përt golin e tretë në “Olimpiko” u desh të pritej minuta e fundit. Realizoi Peroti me penallti. Roma ka 38 pikë, ndaj 42 të Juventusit që këtë fundjavë luan finalen e Superkupës së Italisë në Doha të Katarit ndaj Milanit.
Një tjetër anti-Juventus është Napoli, edhe pse nuk mundi të fitonte në fushën e Fiorentinës. Gjithsesi, barazimi 3-3 arritur në minutat e fundit, ka vlerë. Insinje kaloi ekipin e trajnerit Sarri në epërsi në pjesën e parë, por Bernardeski barazoi. Mertens shënoi përsëri për napolitanët, veçse vendasit u përgjigjën me dy gola, nga Bernardeski e Zarate. Në fund, shënoi Gabiadini me penallti.
Në ndeshjet e tjera, Kaljari mundi me përmbysje Sasuolon 4-3, Torino iu fal Belotit për të thyer 1-0 Xhenoan, Palermo u shtang nga Peskara në 1-1, dhe Sampdoria barazoi 0-0 me Udinezen. Juventusi kryeson me 42 pikë, Roma ka 38 e Napoli 35.